“Ballkani në BE dhe NATO: Paqe në Europë”

Takimi i dytë i serisë së konferencave “Ballkani 2030”, organizuar nga Qendra për Studime të Avancuara në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Instituti “Sami Frashëri” në Shqipëri do të mbahet në Sarajevë në datat 9-10 qershor, 2022.  

Ky takim është vijim i takimit të parë të kësaj serie konferencash që u mbajt në Shkodër, më 19-20 nëntor, 2021 ku u diskutua mbi sfidat dhe rreziqet ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit.

Agresioni i Rusisë mbi Ukrainën përligji shqetësimet që u shtruan për diskutim në tryezën e parë, ndërkohë që ky takim i dytëdo të përqendrohet tek ndikimi i kësaj ngjarje mbi sigurinë globale, europiane dhe në veçanti atë në Ballkanin Perëndimor.

Analistë politikë dhe akademikë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi do të diskutojnë në një varg tryezash me temë “Ballkani në BE dhe NATO: Paqe në Europë”.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit “Sami Frashëri”, Dr. Mentor Beqa dhe Kryetari i Bordit, Dr. Ardian Muhaj do të paraqesin punimet e tyre mbi këtë temë.