Refleksione për Revolucionin Francez, Edmund Burke – Book Review

Reilly Capps

Çdo ditë, interneti tejmbushet me biseda për revolucion. Dhe jo vetëm Revolucioni Tunizian apo Revolucioni i Ukrainës. Ekziston revolucioni i energjisë, revolucioni i informacionit dhe revolucioni i modës. Pijet e gazuara, atletet dhe grimi cilësohen si “revolucionare”. Revolucioni shet.

Natyra njerëzore nuk ishte shumë e ndryshme në vitin 1790. Bota u mrekullua me faktin se, në Revolucionin Amerikan, një popull i thjeshtë kishte sfiduar një tirani. Tani Franca, vendi që lindi Revolucionin Amerikan, u thërrmua nga një revolucion i saj. Mbreti dhe mbretëresha u burgosën (më vonë u ekzekutuan në gijotinë). Klasat më të varfra morën pushtetin. Një Deklaratë shpërthyese e të Drejtave të Njeriut qarkullonte në rrugë. Ateizmi u ndez flakë dhe prona e kishës u konfiskua. Guvernatorit të një burgu të quajtur Bastijë iu pre koka, koka e tij parakaloi mbi një hështë dhe Evropa u drodh nga eksitimi dhe frika. Midis shumë të tjerëve, një predikues i famshëm anglez i quajtur Richard Price e lëvdoi Revolucionin Francez dhe u kërkoi bashkatdhetarëve të tij anglezë të merrnin frymën franceze të “dashamirësisë universale” dhe “iluminizmit.” Revolucioni po shitej mirë.

Po reklamat për atlete revolucionare? Apo posterat për Che Guevara-n? Ato janë tërheqëse dhe kryesisht synojnë të rinjtë. Të rinjtë natyrshëm nxiten nga ideja e revolucionit, qoftë për Nike apo për socializmin. Ju mund të keni qenë gjithashtu kur ishit më të rinj. Por, ndërsa një person piqet dhe sistemohet në zakonet e vjetëruara të një jete të këndshme, plot pikë krediti, karta Krishtlindjesh, ekspozita arti dhe praktika kori, ideja në fjalë mund të humbasë gjurmët e arsyeve pse kaq shumë revolucione i dukeshin kaq të rëndësishme në rini. Personi nuk mund të thotë saktësisht pse ndihet kështu.

Unë vetë kam qenë për shumë kohë i mbushur me atë ndjenjë të paqartë. Por edukimi i pavetëdijshëm nuk më kishte dhënë kurrë fjalët që më duheshin për ta vërtetuar atë. Më pas, një ditë, mora botimin e Gateëay të “Edmund Burke: Shkrime dhe fjalime të zgjedhura,” me hyrjet e tij të shkëlqyera nga studiuesi konservator Peter J. Stanlis. Dhe lexova, për herë të parë, librin më të famshëm të Burke, Refleksione për Revolucionin Francez, dhe Mbi Punimet në Shoqëri të Caktuara në Londër në Lidhje me atë Ngjarje, në një letër që synohet t’i jetë dërguar një zotërie në Paris, shkruar në vitin 1790. Një autor i madh mund të konkretizojë ndjenja të paqarta, edhe nëse ai autor ka vdekur dyqind vjet.

Burke, burrë shteti dhe autor me origjinë irlandeze, u bë dëshmitar i Etheve të Revolucionit që përfshinë Anglinë. Ai lexoi predikimin e Richard Price duke lartësuar virtytet e këtij revolucioni të madh dhe të frikshëm në Francë. Dhe, në mes të gjithë këtij ndryshimi, këtij nxitimi të furishëm për të kapur pronën e fisnikërisë dhe klerit dhe për t’ua shpërndarë të varfërve dhe për të ndryshuar gjithçka sipas një sërë idesh abstrakte, Burke bëri diçka po aq revolucionare. Ai bëri thirrje për kujdes.

Të bësh një revolucion do të thotë të largohesh nga ajo që tashmë është. Por, vuri në dukje Burke, shoqëria në tërësi nuk është diçka që duhet hequr qafe dhe hedhur tej pa e vrarë mendjen. Është një ekzistencë shumëbrezash, “një partneritet jo vetëm midis atyre që janë gjallë, por midis atyre që janë gjallë, atyre që kanë vdekur dhe atyre që do të lindin.” Ky partneritet përfshin gjërat e jetës, si kuajt, gardhet dhe fushat e kullotës, të cilat proletariati ishte shumë i zënë duke i rishpërndarë. Trashëgimia e pronës nga prindi te fëmija, dhe ndërmjet brezave të anëtarëve të institucioneve të ndryshme, është një nga të drejtat e para që një shoqëri duhet të mbrojë; është ajo që e mban shoqërinë. Kjo për shkak se prona dhe trashëgimia nuk janë thjesht një koleksion gjërash – një tufë kuajsh, gardhesh dhe kullotash – është njohuria se si funksionojnë ato gjëra – se si gardhet ndalin kuajt që ushqehen nga fushat e kullotës dhe (dije rreth asaj se) kush mbjell dhe stërvit kuajt, dhe kush meriton çfarë merite që e bëri të gjithë këtë të shkojë natyrshëm.

Franca, vërente Burke, kishte një trashëgimi mahnitëse. Franca ishte një pishtar drite në Eurpë dhe në botë, qe udhëhiqte jo vetëm në arkitekturë, modë apo takëme, por edhe në më të vyerën e komoditeteve – idetë. Këto idë morën formën e literaturës dhe dolën nga Franca, e pasuruan jo vetëm Francën por Anglinë dhe Amerikën dhe vende të tjera në një mënyrë që, për shembull, idetë që dolën nga Estonia, Nju Brunsuik apo Angola nuk e kishin bërë. Ato vende janë plot tradita lokale dhe ide të shkëlqyera në të tyren, por ata nuk kishin prodhuar satira therëse sa ato të Volterit, ese të ndjera si ato të Motaigne, teori rezonuese si ato të Ettienne de la Boetie, që ishte i pari që çmoi se tiranët kanë pushtetin sepse populli ua jep atë. Këto lloj ideshë e bënë botën moderne. Dhe nuk ishin arritur brenda natës. Ato ishin rezultati i përbashkët i dy mijë viteve të kulturës së vazhdueshme që zëfillte me Iliadën dhe Odisenë, me grekët dhe romakët dhe u përsosën e u shtuan mbi një milion salloneve të sojshme, serioze e të zhurshme mbi një milion shishe të Bergerac-it. Filozofi Alasdair MacIntyre ka shkruar se mund të kemi virtyt vetëm si pjesë e traditës. Njerëzit e kujdesshëm si Burke e kuptonin këtë.

Burke e dinte se Franca nuk ishte e përsosur. Ajo nuk ishte Republikë dhe nuk kishte drejtësi të përsosur. Por ajo nuk ishte as tirani.

Revolucionarë, nga ana tjetër, “nuk kanë respekt për urtësinë e të tjerëve,” shkruante Burke. Ata po bënin një gabim të pakorrigjueshëm sepse ata e “nisën me përçmimin e çdo gjëje që u përkiste [atyre]… Për ta, motiv i mjaftueshëm për të shkatërruar një skemë të vjetër është se ajo është e vjetër.” Dhe, Burke pyeste, çfarë ndërtojnë në vend të saj? Diç të dobët, si një ndërtesë e ngritur në një ditë.

Burke mund të duket burtalisht i vjetëruar. Ai i quante klasat e varfra “klasa inferiore” në një mënyrë që e bën lexuesin moder të rrudhet. Por, mund të pyesni ju, a është më racionale t’i konsiderosh të varfrit si superiorë për nga natyra, siç qartësisht shumë revolucioni i konsiderojnë njerëzit e zakonshëm si më të mirë se fisnikëria? Burke ishte i vetëdijshëm për teoritë që lavdëronin njeriun e zakonshëm. “Masa e çdo përshkrimi për njerëzit janë njerëzit”, shkruante ai. Njerëzit e pasur nuk janë të ligj, sugjeronte ai, dhe shpeshherë ata i meritojnë pasuritë e tyre. Njerëzit e varfër nuk janë gjithmonë shenjtor dhe shpeshherë ata nuk kanë kanë bërë përpjekjet e nevojshme për t’u bërë të pasur. Burke, gjithmonë me një sy nga drejtësia, nuk pëlqente që një segment i shoqërisë t’i merrte gjërat nga një segment tjetër. Është e ulët kur një mbret vjedh para nga fshatarët – është po aq e ulët kur fshatarët vjedhin pasuri nga mbreti. Më keq akoma, ai nuk mendonte se ata që kapnin pushtetin kishin kapacitetin për ta përdorur atë si duhet. Burke donte që qytetarët e çdo vendi, edhe të varfrit, ta ruanin dhe ta përmirësonin shoqërinë përmes përpjekjes së vazhdueshme dhe një gjerdani ndryshimesh të vogla. Me fjalë të tjera, ata duhet të mësonin ta luanin më mirë lojën dhe jo të vepronin si lojtarë pokeri që, të zënë ngushtë, përmbyshin tavolinën, duke lëshuar në tokë letrat e të gjithëve.  

Mund të tingëllojë kundërthënëse që Burke kishte simpati për revolucionarët në Amerikë por jo për ato francezë. Por në hyrjen e shkëlqyer të librit të tij, Peter J. Stanlis, studiuesi i njohur konservator, thotë se Burke është absolutisht konsistent. Ai ishte kundër opresionit të të gjitha formatve. Në Amerikë, shtypësi ishte mbreti; në Francë, shtypësit ishin popullsia. Në të dy rastet, Burke qëndroi me të shtypurit.  

Është mahnitëse të vërejmë se në kohën që Burke shkroi librin, krimet më të liga të Revolucionit nuk kishin ndodhur ende. Burke duket si një orakull kur shkruan se, duke vjedhur pronën nga kisha dhe fisnikëria, duke “refuzuar t’i dorëzohen vetëpërmbajtjes më të moderuar, (revolucionarët) kishin themeluar një despotizëm të padëgjuar.” Ai shihte se turma mund të ishte despote, njësoj siç mund të jetë një monark. Shpejt, profecitë e tij u bënë realitet dhe Mbretërimi i Luigjit të XVI i la vendin Mbretërimit të Terrorit. “Kulti i Arsyes” nxori jashtë loje Kishën; një kalendar i ri ndryshoi javën shtatëditëshe më një javë shumë më “logjike” dhjetëditëshe. Mbretërimi i Terrorit derdhi gjakun e rreth 40,000 “armiqve të revolucionit.” Vakumi i pushtetit që krijoi revolucioni u mbush shpejt nga një gjeneral i ri i quajtur Napoleon. Miliona vdiqën gjatë luftërave napoleonike. Pasi përfunduan këto luftëra, u rivendos monarkia. Cila ishte dobia e gjithë kësaj? Çfarë po ofronin këta revolucionarë, në fund të fundit? “Ata e kanë gjetur ndëshkimin e tyre në suksesin e tyre,” shkruante Burke. Ideja e të Drejtave të Njeriut qe hedhur tej në Evropë menjëherë pasi e shpikën francezët dhe deri në Luftën e Dytë Botërore të drejtat e njeriut nuk u vendosën zyrtarisht në kontinent. Falë Zotit, flaka e asaj ideje u tejçua në Amerikë.

Libri i Burkes ishte një bestseller i kohës së tij. Lexohej në tubime dhe në rrugë. Njerëzit pëlqenin veçanërisht përshkrimin e tij transparent të mbretëreshës së re, Marie Antoinette, që vallëzonte në horizont, dhe e donin mënyrën se si Burke kontrastonte atë idil me një rrëfim të llahtarit të dhomës së saj të gjumit të bastisur nga revolucionarët. Në këtë kuptim, libri mund të interpretohet si një reagim ndaj një incidenti specifik në një moment specifik të historisë, një reagim nga neveria ndaj shëmtisë. Por është edhe një paralajmërim i përgjithshëm për akademikët që kërkojnë ndryshim për hir të ndryshimit, që përdorin arsyetimin abstrakt mbi ngjarjet dhe kontekstet konkrete, dhe që janë të gatshëm ta kërkojnë atë ndryshim me çdo mjet të nevojshëm. “Në korijet e akademisë së tyre, në fund të çdo vizioni, sheh hiç më pak se trekëmbëshat,” shkruante Burke. Edhe nëse Marie Antoinette nuk kujdesej për popullin e saj, a meritonte ajo, në fund të fundit, t’i pritej koka, të parakalonte përmes rrugëve në zinxhirë, të quhej qen nga populli dhe t’i hidhej trupi në një varr pa emër? Trajtime si ky nuk mund të mos e bëjnë njeriun të ndjejë simpati për të, veçanërisht kur dëgjon historiën se fjalët e saj të fundit ishin, “Më fal, zotëri, nuk kisha për qëllim ta bëja këtë gjë” pasi shkeli pa dashje këmbën e Herin Sanson, ekzekutorit të saj.

Konservatorët shpesh kanë ndjenja të përziera rreth natyrës njerëzore. Ata shpesh përqafojnë pikëpamjen hobsiane që njerëzit janë kafshë që i trajnon shoqëria. “Çdo brez i ri përbën një valë egërsirash që duhen civilizuar,” shkruante Rober Bork në “Të Përkulur Drejt Gomorras”. Pa etikën dhe sjelljet, civilizimi nuk mund të ndodhë. Mendimtarët e mëdhenj nuk janë pajtuar me Burken. Imannuel Kant, për shembull, ishte një mbështetës i zjarrtë i Revolucionit Francez. Ai nuk ishte i sigur, ndërsa shkruante në vitin 1794, nëse revolucionin do të ishte një histori suksesi. Por Kanti thoshte se përgjigjja entuziaste ndaj revolucionit anekënd botës – ajo përgjigje që e sikletoste Burke-n – ishte, pa mëdyshje, shenjë e mirë. Shpresa për progres ishte një shenjë e progresit. “Shpresa,” i shkruante filozofi Kant studiueses Susan Neiman, “është po aq ngjitëse sa dëshpërimi.”

Burke nuk ishte kundër ndryshimit në tërësi. Një shoqëri pa mjetet për ndryshim është pa mjetet për të mbajtur veten, shkruante ai. Ai i parapriu kohës në shumë gjëra, përfshirë edhe kundërshtimit ndaj tregëtisë së skllevërve dhe mbështetjes së kolonive amerikane në revoltën e tyre kundër taksave. Ai ishte një prej mendimtarëve të parë që parashikoi se Revolucioni Amerikan, jo ai Francez, do ta ndikonte botën më shumë.  

“Refleksione për Revolucionin Francez” është quajtur gurthemeli i konservatorizmit. Stanlis shkruan se ai çoi në një prej diskutimeve më të thella në Evropë rreth parimeve kryesore të politikës. Prej shekujsh, libri i Burke është përdorur nga njerëz të matur për të argumentuar kundërshtimin çdaj çdo revolucioni që shpërthen sot. Mendimet e Burke për Francën duket se kanë zënë vend gjatë revolucioneve të ndryshme, në mënyrë të përsëritur. Revolucioni francez nis me teoritë e bukura të “arsyes” dhe “historisë” dhe mirësinë e njerëzve të zakonshmë dhe, brenda disa dekadave, Stalini ka lëshuar në tokë miliona. Disa kamboxhianë studiojnë në Francë, mësojnë idetë e ngjashme mbi urtësinë e turmave dhe, sa hap e mbyll sytë, Khmerët e Kuq kanë zhdukur dy milionë jetë. Libri i Burkes u jep njerëzve si unë – dhe, me gjasë, edhe si ju – një fjalor për të përshkruar se pse ju preferoni të shihni një ndryshim gradual dhe të menduar në shoqërinë tuaj, jo një përmbysje dhe shkatërrim të plotë. Burke ishte një nga të parët që kuptoi se disa revolucione përfundojnë duke mbushur kupat e njerëzve me verë, ndërsa disa të tjerë duke i mbytur njerëzit në gjakun e qëllimeve të mira.