Çfarë e kërcënon sigurinë në Ballkan?

Seminar i Hapur nga ISP ‘Sami Frashëri’ dhe Qendra për Studime të Avancuara

“Siguria në Ballkan: bashkëpunim versus rivalitet” ishte tema që u trajtua në serinë e Seminareve të Hapura me Prof. Asoc. Dr. Ilir Kalemaj, zëvendës rektor i New York University of Tirana. Profesor Kalemaj u përqendrua në një analizë diakronike dhe sinkronike të zhvillimeve të fundit në rajon duke e orientuar vëmendjen e të pranishmëve tek raporti i historisë me të tashmen në Ballkan.

Profesor Kalemaj ndau me të pranishmit perspektivën e tij mbi agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe mënyrën se si shpaloset ky cënim i arkitekturës së sigurisë europiane në rajonin tonë. Ai u përqendrua tek varësia strategjike e Serbisë nga Rusia, megjithëse në pikëpamje ekonomike Serbia është e orientuar drejt Bashkimit Europian. Këtë, profesor Kalemaj e mbështeti me shifrat e shkëmbimit tregtar që Serbia ka me aktorë të veçantë që ishin subjekt i analizës.

Ai ndau me studentët dhe të pranishmit brendi nga kuptimi që ai ka mbi shoqërinë serbe, raporti i saj me të shkuarën, prirjet nacionaliste dhe margjinalizimi i asaj pjese të emancipuar të shoqërisë që kërkon ndërtimin e marrëdhënieve paqësore me popujt dhe vendet e tjera të rajonit. Ai u përqendrua edhe tek fakti se si në elitën politike të Serbisë ka një garë se kush të jetë më shumë nacionalist dhe se në këtë perspektivë, Aleksandër Vuçiç e projekton vetveten si partneri më i moderuar për Perëndimin.

Biseda u përqendrua më tej në pikat e dobëta në Ballkan si Bosnje-Herzegovina dhe Kosova dhe se si Rusia kërkon që të përdor këto pika për të destabilizuar rajonin e Ballkanit. Megjithëse ai vëren një ngjallje të interesit të SHBA-ve dhe Bashkimit Europian për Ballkanin, ai u shpreh se kjo duhet parë në kontekstin ku interesat strategjike janë përqendruar në Paqësor, në Azinë Juglindore, ku zhvillohet 70 përqind e tregtisë botërore dhe jeton 2/3 e popullsisë së botës.

Profesor Kalemaj analizoi edhe marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe se si zgjidhja e  problemeve ndërmjet tyre është mënyra e vetme për të krijuar qëndrueshmëri strategjike në të ashtuquajturin Ballkan Perëndimor. Në këtë kontekst, marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke shihet si prioritet i prioriteteve.

Gjatë seminarit pati shkëmbime mendimesh dhe opinionesh të ndryshme. Profesor Kalemaj u sfidua nga një audiencë dinamike, ndërvepruese me interesa shumë të fokusuar në çështje me karakter thelbësor për të ardhmen e paqes dhe sigurisë në Ballkan dhe të ardhmen e shqiptarëve si pjesë e rëndësishme përbërëse e mozaikut të rajonit tonë.

‘Seminaret e Hapura’ është një platformë intelektuale diskutimesh që zhvillohet nga Instituti ‘Sami Frashëri’ Tiranë, dhe Qendra për Studime të Avancuara, Sarajevë. Takimet janë të përdyjavshme në ambientet e Institutit ‘Sami Frashëri’ në Qytetin Studenti në Tiranë dhe pjesëmarrja është e hapur. Për studentët që ndjekin rregullisht seminaret do të shpërndahen certifikata dëshmie nga organizatorët.