Rruga drejt skllavërisë – Book Review

Andrew Spencer

Një shenjë dalluese e librit klasik është se kritikat që ai ofron mbeten të vlefshme për vite të tëra pas shkrimit të tij. Libri i njohur i F. A. Hayek, Rruga drejt Skllavërisë, e manifeston këtë cilësi. Ndërkohë që beteja vijon e ashpër ndërmjet mbrojtësve të sistemit të tregut të lirë dhe atyre të formave të ndryshme të socializmit, diagnoza e Hayek për fundin e mundshëm të sistemeve të ekonomisë së planifikuar – përkatësisht, tirania – ilustron përse mbrojtësit e tregjeve nuk kanë rënë dhe nuk janë dorëzuar, megjithë të vërtetat ekonomike e sociale të problemeve ekonomike.

Një tjetër shenjë dalluese e një libri klasik është se ai ka një fuqi shpjeguese dhe ofron përmbledhje të shkurtra që mund të zgjerohen në traktate me gjatësinë e librit. Rruga drejt Skllavërisë përmban dhjetëra shembuj të pohimeve ngjeshura të problemeve të thella ekonomike dhe shoqërore që lindin nga përpjekjet për ta planifikuar ekonominë.

Në tërësi, libri është një kryevepër që meriton të lexohet dhe se mbështetësit bashkëkohorë të socializmit duhet të detyrohen të përballen me të. Disa çështje, sakaq, lindin nga struktura e gjerë e veprës, që meritojnënjë vemendje të veçantë.

Së pari, përkundër pasqyrimeve popullore që përpiqen t’i lidhin tregjet e lira me nacional-socializmin, Hayek tregon se fashizmi i promovuar nga nazistët ishte një përkeqësim i idealeve socialiste që ishin ngulitur në shoqërinë gjermane për breza të tërë dhe jo përgjigje e tregut. Vëllimi qe shkruar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, lidhja e ngushtë ndërmjet totalitarizmit të nazizmit, ngjashëm si fashizmi italian, dhe komunizmit stalinist, është një argument i rëndësishëm i krejt veprës. Përpjekjet për të planifikuar ekonominë në mënyrë të centralizuar shpien në tirani të shkallëve të ndryshme.

Së dyti, Hayek është i kujdesshëm për të bërë dallimin ndërmjet shtetit të mirëqenies nga socializmi ekonomik. Ai, faktikisht, lëvdon punën e rrjetit britanik të sigurisë në ofrimin e ndihmës për të siguruar se nevojat bazë të njerëzve të përmbushen kur ata janë pa punë. Njëkohësisht, ai tërheq vëmendjen ndaj përpjekjeve të shtetit të mirëqenies që minojnë tregun.

Një element që mungon nga Hayeku është diskutimi i arsyes se përse liria është një qëllim i vlefshëm. Ky është, në fund të fundit, avantazhi kryesor që ai lëvdon në ekonominë e tregut. Me gjithë pabarazitë e saj, sistemi i tregut garanton një liri më të madhe zgjedhjeje për të gjithë njerëzit. Ai mbron individualizmin, që nuk është borgjezia siç duan ta paraqesin kundërshtarët bashkëkohoro të tregjeve, por një përpjkeje për të vlerësuar individin dhe për të çmuar të drejtat individuale edhe mes kolektives. Për shkak të kësaj mangësie, kjo vepër e Hayek-ut është e hapur ndaj kritikës që ky individualizëm mund të rezultojë në një egocentrizëm atomistik, por ka disa përgjigje që nënkuptohen nga konteksti. Hayek-u thotë se ka kufij për lirinë njerëzore, që duhet materializuar në ligj. Për pasojë, ai nuk mbron një version randian (sipas Ayn Rand) të anarko-kapitalizmit. Hayek-u, gjithashtu, pranon se ka eksternalitete (si ndotja) që mund të duhet të rregullohen pavarësisht influencave në treg.

Përmbledhtazi, me gjithë mungesën e arsyetimit të drejtpërdrejtë rreth premisave të caktuara morale, ekonomia e tregut që mbron Hayek-u në këtë tekst është shumë larg individit pa integritet a substancë të konstruktuar nga shumë prej kritikëve të kapitalizmit. Ajo (ekonomia e tregut) është goxha larg nga vizioni individualist i rrezikshëm i pjesëmarrjes në treg që ofrohet nga disa prej mbështetësve popullorë të tregjeve të lira. Ka një padepërtueshmëri morale tek Hayek-u që, ndërsa i mungon përshtatshmëria biblike, përfaqëson një bazë më të mirë se ç’supozojnë shumë prej kundërshtarëve dhe mbështetësve.  

Një pikë e fortë e tekstit është se Hayek-u tregon se qëllimet e mira në planifikimin ekonomik nuk mund të kompensojnë paaftësinë e qenieve njerëzore për të planifikuar në mënyrën e duhur. Gama e të mirave shoqërore që vlerësohen nga njerëz të ndryshëm e bëjnë të pamundur që planifikuesit qendrorë t’u japin përparësi të mirave të preferuara nga popullsia pasi do të ketë gjithmonë konkurrencë ndërmjet këtyre të mirave. Prioriteti i të mirave, pra, duhet të imponohet dhe jo të përftohet, çka do të çojë në kufizimin e lirive të arsyeshme dhe të garantuara të të shumtëve për të përmbushur të mirat e një grushti planifikuesish të veshur me pushtet.

Këtu, sërish, mungesa e një konsensusi etik që mund të udhëheqë veprimin shoqëror të planifikuesve, zbulon se arsyetimi ekonomik është i rendit të dytë. Pra, virtyti moral duhet të paraprijë sistemin ekonomik. Çdo sistem ekonomik është i detyruar të zbulojë dështimet morale të elementëve të tij përbërës. Argumenti i Hayek-ut dhe evidenca ekonomike historike zbulojnë se tregjet kanë mekanizmin më të mirë të brendshëm për të zbutur veset pa nevojën për planifikim qendror. Sërish, një treg që udhëhiqet prej njereëzish imoralë vetëm sa do të zmadhojë imoralitetet e tyre. Por, ndoshta, një rrezik më i madh fshihet pas imponimit me forcë të të keqes si një “e mirë” e synuar në ekonomiksin kolektivist që e bën të preferueshme aftësinë për të refuzuar pjesëmarrjen në imoralitet në një sistem tregu.   Nuk ka asgjë të re nën këtë diell. Natyra njerëzore është konsistente në çdo sistem ekonomik. Detyra jonë është të përpiqemi për sistemin më të mirë të mundshëm të ekonomisë që do të inkuraojë lulëzimin njerëzor. Janë të shumtë ata që besojnë, siç beson Hayek-u, se tregjet e lira priren ta bëjnë këtë më mirë se format e shumta të ekonomiksit kolektiv.